Jul 28, 2009

Ters të marte

Keni pasur ndonjëherë një ditë në të cilën gjithçka shkon keq dhe ju nuk mund të mërziteni pasi në fund të fundit çka ju ka ndodhur është shumë për të qeshur? 
Charlie Chaplin thotë: Jeta është një tragjedi në pamje nga afër, por një komedi në pamje nga larg. 
Kam pasur shumë gjëra në mendje kohët e fundit dhe si tip e kam të pamundur të mos ëndërroj me sy hapur, dhe sa herë që mërzitem për diçka, fatat lozonjare tallen me mua dhe më punojnë ndonje rreng. Në këtë mënyrë mund t’ia këpusim të qeshurit të dyja palët, si fatat lozonjare, si unë, që jam e para që qesh nëse rrëshkas në lëkurën e një bananeje. 
Në mëngjes e menudar siç isha në vend të ndaloja në stacionin tim deç vajta në Durrës, dhe kur e kuptova se isha dhe mjaft larg një mbikalimi për t’u kthyer mbrapsht atëherë më kapi një frikë, si dreqin do shkoja në punë me nallanet që kisha veshur, duke ecur në autostradë. Për pak sa nuk i rashë një rruge “dytësore” siç mendova që në fakt ishte një rrugë tjetër, që kush e di në ç’fshat të çonte. Eca dhjetë minuta në këmbë deri në mbikalimin më të afërt, dhe mendova se nëse nuk do të kisha ëndërruar për librin që po lexoja në mëngjes duke tharë flokët, nuk do ta kisha pasur këtë mundësi të bëja një shëtitje buzë autostradës që në pikë të mëngjesit. Dikush mund të kalonte bordurën për të shkuar në anën tjetër, ku kishte furgona për t’u kthyer mbrapsht në kalim e sipër, po do të ishte vërtetë tepër qesharake që unë të bëja diçka të tillë. Sa herë që vij në punë me furgon (dhe ndodh shumë shpesh sepse shumë shpesh humbas autobuzin) shoh sesi njerëzit e kapërcejnë bordurën e lartë një metër a më shumë. Më vjen keq çdo ditë që nuk kam mundësinë t’i fotografoj siç fotografova një vajzë që ndente rroba e veshur vetëm me sytjena në mes të Tiranës, mu përball Trëndafilit të Bardhë, duke e kënaqur kamarierin e shkretë që vinte vërdallë në kopësht. 
Sot arrita në punë në orën 9:30 (gjysëm ore me vonesë) pas aventurës së përshkimit për herë të parë të një mbikalimi këmbësorësh në autostradë, e cila për surprizën time qëlloi të ishte më shumë një mbikalim këmbësorësh me katër këmbë (dhe unë isha me shapka të hapura). Dhe në mes të rrugëtimit tim me nallanet e mia në rrugën e zhavoruar, mjaft rrëshkitëse, shefi im, kishte vendosur të vinte sërish më herët sot dhe ai kalon anash me shoferin ndërkohë që unë eci e poshtëruar për në drejtim të derës më të afërt ku bëhej checkimi. Kafja duhet të ishte speciale sot, për të shpëtuar faqe, po ja që mungonin gotat e ujit në banak dhe kafja u çua pa ujë, në një ditë vere ku temperaturat shkojnë te 40 gradë, u bëra si kamarierët e La Voglias. 
Më tej dita ecën dhe unë eci gjithashtu lart e poshtë me fatura në dorë, si korriere e financës, pasi kjo faturë nuk është e saktë, po ja që qenka e saktë dhe kjo tjetra duhet çuar se është urgjente (rikujtoj nallane, të cilat nuk ndiheshin më kaq të rehatshme sot saç ndiheshin dje nëpër koridorin e shtëpisë). Dhe dita ecën dhe një shef tjetër më thotë me mirësjellje se disa formula të një tabele ishin gabim. Dhe dita ecën dhe tamam në një kohë relaksi ndërsa po pija kafen me një kolege, fatat ma shtynë dorën dhe kafja u derdh gjatë e gjerë mbi prerin tim: Thua është e martë prandaj dhe kjo ditë e bukur? 
Sido që të jetë sado gjërat kanë shkuar mbrapsht, dhe për të vajtur në punë m’u desh të harxhoja dyfishin dhe ca lekë në telefon për t’u ankuar te personi të cilit duhet t’i tregoj se di të kursej dhe se jam e pjekur për të përballuar jetesën vetëm, sesi nuk dija si të kthehesha kur kisha ngecur në autostradë. Sido që të jetë, si njeri që përdor autoironinë dhe vetfatkeqësinë për të sjellë humor, në fund të fundit, nuk ishte dhe aq ditë ters sot. 
(Kam akoma kursin e patentës dhe unë i jap gaz kur jam në dishezë dhe i jap pak gaz kur e ndez makinën, ndaj ka akoma gallata për sot) Dhe në një periudhë të vështirë ulje rrogash dhe ngritje kredish, dhe rrogash që akoma nuk janë derdhur në llogari, dhe lëvizje shtëpish, dhe vonesa lejesh ndërtimi, e shumë e shumë terslliqe të tjera, është mirë të kesh ndonjë ters të vogël të marte, sa për t’ia plasur të qeshurit me lotë.