Jul 26, 2010

E vera, vera, s'është për ne vera, për ne vera është puna

Vera është stina më depresive që ekziston, dhe normal jo për të gjithë, po vetëm për ata që e kanë lënë ishullin që nuk është dhe Piter Panin, dhe janë rritur. Dikur tre muaj ishin boll për të shijuar jetën. As librat dhe detyrat shumë të pakta të verës nuk i kapnim me dorë dhe e kalonim tërë kohën rrugëve, lagjeve, ose në fshatra te gjyshja, tezja, ose në plazh te lumi, plus dy javë në plazh. Vera ishte aq e gjatë sa të merrte malli për shkollën (merre me mend). Kurse tani edhe dy javë pushim dhe i merr me sherr, dhe ato dy javë nuk të dalin që t’i mësosh trurit të pushojë së pari ëndrra me zyrë, kolegë e shefa. Dhe ato javë sërish telefonin duhet ta kesh në dispozicion të kërkesave të punëdhënsve. Lejen mund ta kesh marrë, po natën si për inerci je akoma në punë, dhe në ditë sërish je i punësuar, çfarë stresi kur të bie ai telefon. 
Për dy javë gjatë lejes time shihja në ëndërr sikur vija në punë dhe nuk dija ku ishte zyra ime (duke qenë se do bëheshin ndryshime dhe sepse s’më ishte konfirmuar tamam promovimi). Edhe kur erdha normalisht ishte më keq se dhe kompjutrin nuk e gjeja ku ishte jo më zyrën. Ç’i mora ato pushime kot them me veten, kur jam në depresion të gjallë tani që s’kam më nga t’ia mbaj se e mbarova kartën, më ikën jetët e Marios, dhe jam duke rënë në zjarr, që është metaforë e saktë për vapën që ka qenë javën e fundit. 
Puna duhet të jetë diçka e bukur. Të tregosh vlerat e tua, të japësh kontributin në krijimin e diçkaje, të japësh rezultatet e viteve dhe viteve të shkollimit. Na thonin se pa shkollë s’kemi nga të shkojmë. E ja u shkolluam, për çfarë na hyri në punë, kur në mes të krizës ekonomike, tregu i ngushtë kapitalist i e egëri i punës të detyron të bësh kompromise, të bësh një punë pa lidhje dhe të marrësh një rrogë që lëre fare mos e pyet se na kënaqi. Më mirë në shkollë se t’i paguante të gjitha mami dhe babi. Po pse harxhuam lekët në shkollë dhe orët në libra thua, kur jemi më poshtë se ata që shkollën e kanë kaluar në kafe. 
Puna, qejf i madh mos e pyet. S’ka rëndësi sa jep, sa lodhesh, apo sa i kualifikuar je, s’të jep njeri atë që meriton, se në fund të fundit kapitalizmi është oligarki, diktaturë, a është i kënaqur njeri me diktaturën ndonjëherë? 
Prindërit tanë ankohen se kanë jetuar në komunizëm e në emigracion e se ne qenkërkemi shumë mirë se jemi në demokraci dhe në shtetin ku jemi zot e gur i rëndë. S’e dinë të shkretët se nuk e kanë parë sa i mirë është kapitalizmi, dhe se sa demokratik është, që nuk ka më diktaturë në botë se sa ka në një kompani kapitaliste, sa padrejtësira e spiunllëqe, dhe sa Zylo që ka. Se si duhet të ulësh kokësh, të bësh autokritikë, të mos objektosh kundër padrejtësisë, dhe të kesh të drejtë fjale vetëm kur janë mendime pozitive (servilosje). Se si të vjedhin punën, promovojnë miqtë dhe të paaftët, dhe se si zgjidhet çdo gjë në dyer të mbyllura, se si kamata dhe ulje bëhen në kohë krize dhe të vështira, po për ne popullin e shkretë jo për kryepartiakët. Komunizëm keni jetuar ju por dhe ne po jetojmë prindër të dashur, eh kapitalizëm, qejf i madh...
Sa për atë të gurit në vendin e vetë, ia kanë fut prapë kot, se dhe ne po e shijojmë racizmin dhe emigracionin, e më keq në vendin tonë prindër të dashur, se mos ka kompani shqiptare këtu. 
E pra ato kohë të bukura kur mund të shijove verën dhe lypje për 100 leksha. Kur e haje me qejf shalqinin nëpër shkallë, e bëje zgjyrë fustanin e pantallonat duke lozur nëpër lagje nga mëngjesi në darkë, e vije në shtëpi me gjunjët e gjakosur (po ama nuk kishte probleme me qarkullimin e gjakut siç paskam unë një 23 vjeçare me këmbtë të enjtura nga të ulurit e tepërt). 
Normale që vera është stina më depresive kur truri i zgjohet sërish ëndrrave, dëshirave, kujtimeve të bukura të kohëve kur ndërronim tre lëkurë si gjarpërinj duke u rrjepur në plazh. Atëherë ne ia dilnim të shkonim për dy javë në plazh, dilnin lekët apo s’dilnin. 
Kur shoh në punë si njerëzit e nxirë dhe ato të bardhë, shoh vetëm fytyra depresive, nuk ka kokërr njeriu që ta bëjë punën me të njëqindtën e dëshirës, sikur na kanë marrë të tërheqim zvarrë blloqet e larta të piramidave. Ata të bardhët të paktën kanë akoma kohë t’ia mbathin për ca javë. Atyre u rekomandoj të flenë pak që të mos shohin ëndrra, se po i panë me punë do t’i shohin, dhe t’i fikin celularët se do ju telefonojnë kot ma si koti tërë ditën e ditës për punë pune (thoni se kishit harruar karikuesin e ju ra bateria, edhe se ishit në koma nëse kjo nuk mjafton, po shijojini ato pushime se janë aq të shkurtra, sa me gjithë se e do verën je i lumtur kur bie shi, dhe lutesh të bjerë shi se vapa në punë nuk kalohet. 
Vera është e bukur, vera po është për kë është!!! Për ne të tjerët është burim depresioni, asgjë më tepër. 

No comments:

Post a Comment