Aug 30, 2015

Liria e fjalës...ose diçka e tillë

"Lum si ju që keni kapitalizëm" tha gruaja 57 vjeçare, ish e persekutuar, ish me biografi të keqe, dhe e bija e një të burgosuri politik, "dhe bëni çfarë dëshironi të bëni, jo si ne në socializëm".

"Ju nuk kishit socializëm", i them unë mamit tim që vazhdon akoma të ketë koncepte të gabuara për ish realitetin Shqiptar, dhe për realitetin aktual.

"Po çfarë ishte?"

"Fashizëm!"

"Po pse e quanin socializëm? Pastaj fashizmi është tjetër gjë...është..."

"Çfarë është fashizmi, socializmi, komunizmi, kapitalizmi? Çfarë janë të gjitha këto sisteme që ende njerëzit i bëjnë lëmsh? Duhet të jetë parti e djathtë që të jetë fashizëm, dhe e majtë që të jetë socializëm? Duhet të jetë perëndim që të jetë kapitalizëm dhe prosperitet, dhe lindje që të ketë vuajtje dhe fashizëm?

Fjalët që përdorim për të përshkruar secilin nga këto sisteme janë vetëm fjalë. Mund të përdorësh fjalën 'Ndryshim' pa asnjë shpjegim tjetër rreth saj dhe mbledh masa të tëra injorantësh Shqiptarë apo Amerikanë (ndryshimi për fitore, Obama's change) të cilët i veshin asaj fjale emocionin e tyre personal, ëndrrën e tyre vetjake, dhe pushojnë së menduari më tepër se aq. Jemi qenie dembele. Arsyeja është sepse energjitë tona mendore janë të limituara, prandaj konservojmë (cognitive misers) mendues kopracë! Dhe atëherë çfarë bëjmë? Gënjehemi nga fjalë, shprehje, emra, të cilët frymëzojnë një mendim të parë rrenacak, dhe atij mendimi, përshkrimi rrenacak, i veshim një auto-tekst të gatshëm prapa mendjes sonë.

Komunizmi është fjalë kaq e bukur, dhe kështu është dhe socializmi. Komunizmi vjen nga komunë, komunalë, komunitet dhe ka kuptimin e njerëzve që jetojnë së bashku, ndihmojnë njëri tjetrin për të bërë jetën më të lehtë. E njëjta gjë dhe socializmi, vjen nga fjala social, të jesh social, shoqëror, të jetosh në shoqëri. Të dyja fjalët janë shumë të bukura dhe nëse do të kishte vërtetë një sistem politiko-ekonomiko-social që këto fjalë përfaqësojnë, do të ishte një botë ku njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin, dhe mirëkuptojnë njëri tjetrin. Ndërsa sistemi totalitar që ne kaluam ishte kaq ndryshe. Nuk ishte një sistem ku njerëzit ndihmonin njëri tjetrin, dhe ata më në nevojë si pensionistë, studentë, njerëz me aftësi të kufizuara!!! Ishte një sistem ku çdo gjë ishte e limituar, që nga risorset e deri tek mendimi i lirë. Ishte një sistem ku nuk kishte mundësi zgjedhjesh.

A nuk është ky fashizëm. A nuk është ky kapitalizëm?

Në kapitalizëm nuk ke një mundësi të madhe zgjedhjesh. Ke një iluzion se ke shumë zgjedhje, thoshte George Carlin. Për gjërat e rëndësishme si partitë politike, apo kompanitë e sigurimit, nuk ke zgjedhje, por për gjëra si shijet e akulloreve, sanduiçeve, apo ngjyrave të manikyrit, zgjedhjet janë të pafundme.

Në kapitalizëm mendimi nuk është i lirë, pasi ai kontrollohet nga një rreth i vogël njerëzish që zotërojnë 99% të pasurisë botërore, dhe i japin drejtim botës si të duan. Ata kontrollojnë partitë, mediat, kontrollojnë kush vjen në pushtet dhe kontrollojnë mbi të gjitha mendimin e lirë.

Në këtë pellgun e vogël ku jetojmë ne të harruarit e Europës, zgjedhja është midis dy partish politike (le të mos pretendojmë se partitë e tjera vërtetë kanë peshë, rëndësi, apo luajnë ndonjë rol, përveç atij qingjit LSIst që pi në dy nëna). Një numër i vogël politikanësh, biznesmenësh dhe horrash, kontrollojnë se çfarë bëhet me tenderat, me ajrin që thithim, me parqet që shëtisim, me taksat që paguajmë, me librat që lexojmë, me filmat që shikojmë, me mendimet që duhet të mendojmë...

Në një shkallë më të gjerë globale, kapitalizmi dhe globalizmi bëjnë akoma më shumë dëme. Një numër i vogël njerëzish vendosin çfarë ndodh me ne. Nuk ka liri mendimi. Po të kishte liri mendimi nuk do të vazhdonim akoma të ndiqnim rregullat e ekonomisë të shkruara nga një i marrë, që nuk kanë asnjë kuptim në jetën e vërtetë dhe nuk kanë asnjë mbështetje shkencore. (Ti dhe dora jote e padukshme mund të shkoni në ferr - madje shpresoj që ferri të ekzistojë vetëm për ty Adam Smith).

Mungesa e lirisë duket në rregullat që vënë shoqëria, shkollat dhe punëdhënësit se si dikush duhet të vishet, t'i ketë flokët, apo dhe të flasë. Nëse u thua njerëzve çfarë të veshin në ambiente të ndryshme, a nuk është kjo një shkelje e lirisë së fjalës/shprehjes? Shprehja individudale e identiteteve tona është primare për të jetuar në një shoqëri të lirë. Një shoqëri që të thotë si të flasësh, mendosh, vishesh është një shoqëri fashiste"

Nuk e di nëse ky fjalim e bindi mamanë time që i përket një shekulli të largët në mendime, se një piercing në gjuhë nuk është diçka që bën një adoleshent, por është një shprehje e të drejtave njerëzore.